Me Correan dhe Arnautovic që pritet të largohen gjatë muajit gusht, Interi po punon për të sjellë një tjetër sulmues në organikën e Simone Inzaghit, teksa emrat në listën e drejtuesve janë dy. I pari qëndron islandezi i Genoas, Albert Gudmundsson, por një çëstje gjyqësore që ai ka në vendin e tij dhe ofertat e shumta nga Premier League që i kanë rritur çmimin e kartonit, kanë bërë që zikaltrit të stepen disi. Pikërisht për këtë arsye, së fundi ka fituar terren holandezi Memphis Depay, i cili është futbollist i lirë, pasi i ka skaduar kontrata me Atleticon e Madridit. Depay u është ofruar zikaltërve të firmosë me ta për dy sezone, kundrejt një page prej 5 milionë eurosh në vit, teksa Marotta ka marrë kohë të reflektojë.
Sulmuesi 30-vjeçar ka një CV për t’u admiruar, pasi në të shkuarën ka luajtur edhe për klube i Manchester United e Lyon, teksa ofron garancitë e duhura teknike e finalizuese, për të qenë një vlerë e shtuar për sulmin e Simone Inzaghit. Për më tepër, Depay ka treguar te Atletico e Madridit se di të qëndrojë në stol pa bërë polemika dhe të japë gjithmonë më të mirën sa herë që i kërkohet të zbresë në fushë. Gjithsesi para se zikaltrit të ndajnë mendjen, duhet të sistemojnë Correan, për të cilin ka oferta nga Argjentina dhe Arabia Saudite, por edhe ausriakun Arnautovic, i cili gjithashtu kërkohet nga klubet arabe.
sfidanti.al