Egnatia bën “kampionen”

Fitore e madhe e Egnatias në kryeqytetin e Islandës. Kampionët e Shqipërisë mposhtën 0-1 Vikingurin në një ndeshje emocionuese, me ritëm dhe plot raste. Joel, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, realizoi golin e fitores për skuadrën e Edlir Tetovës në duelin e parë të raundit të dytë në Conference League. 21-vjeçari shfrytëzoi një pasiguri të portierit vendas në minutën e 33’, duke shënuar një gol tepër të rëndësishëm. Më pas Ilir Dabjani “show”. Portieri 23-vjeçar, i cili debutoi në kompeticionet europiane, kreu disa pritje fantastike duke dhënë kontribut të madh në suksesin e rrogozhinasve. Në fund festë shqiptare në stadiumin “Vikingsvollur”, me Egnatian që u mbështet gjatë gjithë kohës nga tifozët e paktë në numër, por të zjarrtë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në datën 1 gusht. Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 20:00.

sfidanti.al