Vllaznia, Brdaric i shqetësuar nga mungesat

Vllaznia është njëra nga skuadrat shqiptare, e cila ka shanse të mira për të kaluar turin e parë në Ligën e Konferencës. Skuadra e Bërdariç pret nesër në “Loro Boriçi” ekipin e Valur. Në vigjilje të këtij takimi, në konferencën për mediet, Tomas Brdariç ka deklaruar se pret një ndeshje shumë e vështirë dhe paralajmëron se ekipi i tij është përgatitur mirë. Mes të tjerash ai konfirmoi mungesën e Grudës dhe Bajramit, të cilët janë të dëmtuar, ndërsa Deliu do të mungojë për arsye kartonësh.

“Jemi të përgatitur për të luftuar, ka për të qenë një ndeshje e fortë nesër. Ndeshja është gjysmë e përfunduar dhe të gjithë do të bëjnë maksimumin. Gruda nuk do të jetë gati për lojë, as edhe Bajrami ka pasur një dëmtim në pulpë. Por kemi shumë lojtarë dhe janë të motivuar dhe me zor po presin që të nisë ndeshja”, bëri me dije Bërdariç. Gjermani ka paralajmëruar ekipin se në takimin e kthimit nuk pranohen gabimet e bëra në ndeshjen e parë ndërsa ka pranuar se pret ndihmën e tifozëve. “Mungesa e Deliut nuk është diçka e mirë për ne, duhet të punojmë shumë që mos na ndodhin gjërat e ndeshjes së kaluar. Ne e dimë që nuk ishte e rëndësishme vetëm ndeshja e parë, Valuri është një ekip me shumë eksperiencë, nesër shpresoj të jetë një atmosferë e zjarrtë në stadiumin tonë”, tha Bërdariç.

I pyetur për shanset e Vllazninë për kualifikim, Bërdariç mendon se kjo ndeshje s’ka favori: “Nesër ndeshja është 50 me 50, duam ti përballojmë në nivelin maksimal. Duhet të na shpërblehet puna e bërë, nuk e kuptoj pse UEFA na lejoi të luanim në ato kushte në Islandë, por tani ne luajmë në shtëpinë tonë”.

sfidanti.al