Berlini hesht në pritje të ndeshjes Zvicër-Itali. Nuk ka rëndësi si luan, apo çfarë taktikash do të përdorin dy trajnerët, ajo që tifozët nuk falin është eliminimi në këtë fazë të Europianit për të arritur në çerekfinale. Një sfidë ku Luciano Spalleti dhe Murat Yakin do të përpiqen ta interpretojnë në mënyrën më të mirë, atje ku beteja më e madhe është mes Granit Xhakës dhe Nicolo Barellas. Në Gjermani, mesfushori italian ka tashmë një rekord: ai është futbollisti që ka vrapuar më shumë nga të gjithë, 37,04 kilometra, ndërsa Xhaka 35,13.
Luciano Spalleti e do Barellën, sepse tek ai sheh Nainggolanin e Romës, një De Rossi të evoluar, një gjithëpërfshirës, i çmuar edhe përpara portës. Me një fjalë: lider, vetëm 27 vjeç. Nicolo Barella është njeriu i tranzicioneve dhe i rikuperimeve të topave, Spalleti kërkon cilësi dhe këtë vazhdimësi mund t’ia japë vetëm mesfushori i cili me kalimin e kohës ka përsosur aftësitë e tij si një lider dhe futbollist total. Por duhet kujdes, sepse përballë futbollisti i Interit do të duhet të përplaset fort me Granit Xhakën, lojtar fizik, i ashpër kur duhet dhe futbollisti kyç i përfaqësueses helvete me 127 paraqitje. Në takimet ndaj Gjermanisë dhe Hungarisë u shpall lojtari i ndeshjes. Jo vetëm kaq, Xhaka ka një saktësi pasimesh prej 87.5%, dhe tetë rikuperime. Si një motor i palodhur në fushën e lojës, Xhaka ka luajtur çdo minutë gjatë fazës së grupeve, një sfidë Itali-Zvicër, ku prozhektorët janë fokusuar në duelin e dy titanëve.
sfidanti.al