Zhgënjim total! Shënojmë por ia dhurojmë ndeshjen Italisë

As goli më i shpejtë i kompeticionit më të rëndësishëm kontinental nuk e ndihmoi Shqipërinë të merrte rezultat, në debutimin në Kampionatin Evropian përballë kampionëve në fuqi të kontinentit. Italia nuk e prish traditën, edhe pse e rrethuar nga muri kuqezi, spektakolar në stadiumin e Dortmundit, duke përmbysur kuqezinjtë me një 1-2, që e bën vendimtare ndeshjen e dytë për të besuarit e Sylvinhos. E të mendosh që ishte një start ëndërrash me Nedim Bajramin që shënoi pas vetëm 23” lojë. Një gabim flagrant i italianëve, që lejoi mesfushorin e Sassuolo të kontrollonte topin dhe të lëshonte një të djathtë të pakapshme për Donnarumma.

1-0 dhe është i Shqipërisë goli më i shpejtë në Euro. Fatkeqësisht nuk mjaftoi, sepse Italia pasi stabilizoi rrahjet e zemrës pas pësimit u rikthye si i takon kampionëve të Evropës: përmbysje në pesë minuta në të cilat kuqezinjtë gabuan në mënyrë naive. Në minutën e 11’ Bastoni, më i rrezikshmi kundërshtar në lojën në ajër ishte lënë cuditërisht vetëm në shtyllën e dytë, nga ku barazoi rezultatin me goditjen e parë në portë. E në të 16’ Asani largoi topin në mënyrë të gabuar dhe Barela shtangu Strakoshën me një trajektore të pakapshme. Shqipëria e ndjeu goditjen dhe nuk mundi të ndërtonte shumë, nën presingun asfiksues të italianëve. Në të 34’ Frattesi u ndal vetëm nga shtylla, pas një kombinimi me Scamacca. Sulmuesi i Atalantës tentoi të gjente trisin vetë 6 minuta më vonë, por Strakosha bllokon rrezen duke devijuar në kënd.

E majta magjike e kualifikueseve e Asanit nuk është edhe aq në Europian, kur numri 9 provoi ta karikonte në minutën e 44’, ndërsa Italia e mbylli në sulm, me një Chiesa të ekzaltuar, asistin e të cilit Pellegrini nuk e dërgoi dot në rrjetë. Zotërimi i topit dhe rastet janë të gjitha në favor të Italisë që kërkoi të mbyllte ndeshjen në pjesën e dytë, duke përfituar edhe nga amullia e kuqezinjve. Mitaj mbajti topin në zonë pakuptim dhe Chiesa ia rrëmbeu, për fat pa gjetur kuadratin në minutën e 59’. Skuadra e Spalletit provoi edhe me Frattesi, tentative e të cilit kaloi mbi traversë, ndërsa Sylvinho mendoi se duhet të ndryshonte vetëm në 20 minutat e fundit, me Hoxhën e Laçin e më pas edhe Manajn, pa mundur të ndryshojë një ndeshje që u vendos shumë më herët, edhe pse sulmuesi i Sivvaspor në fund të kohës së rregullt kishte në këmbë topin që mund të çonte në delir një stadium të tërë kuqezi. Donnarumma shpëtoi Italinë dhe i mohoi kuqezinjve një barazim historik. Tani kuqezinjtë duhet të luajnë gjithcka për gjithçka me Kroacinë humbëse në ndeshjen e parë me Spanjën.

sfidanti.al