Nëse do të luhej në ndeshje në shkallët e stadiumit dhe rrugët e qytetit të Dortmundit, atë padyshim do ta kishte fituar Shqipëria dhe thellë madje, por për fatin tonë të keq, tifozët janë thjesht gjerdani që zbukuron ndeshjen e futbollit, atë për të cilën të gjithë bëjnë mijëra km. dhe sakrifikuan gjithçka për t’i qëndruar pranë Kombëtares. Pavarësisht faktit se cmimet e biletave të ndeshjes së Shqipërisë kishin shkuar në “yje” edhe për faktin se që në fillim u luajt loja e pisët e shpërndarjes për njerëzit e preferuar, shqiptarët sakrifikuan dhe shumë madje. Por le ta zhvendosim fokusin te çështja e vërtetë, futbolli. Një gol i shënuar, rekord i vendosur por vetëm kaq dhe mesa duket objektivin e arritëm. Kështjella e rërës u rrëzua në çdo aspekt tjetër. Skuadër pa forcë, grintë, fantazi, zemër dhe shpirt sakrifice. Strakosha i përgjumur e po ashtu edhe Hysaj që në rastin e golit të dytë u kujdes që të ruante modelin e flokëve, gjë që nuk e bëri Bastoni në rastin e goditjes së Asllanit. Ku ishte Broja? Njeriu për të cilim po flitet pandalim gjatë tre apo katër viteve të fundit? Po Asllani në mesfushë? Sylvinho duhej të priste 70 minuta për të kuptuar që Asani nuk ishte në fushë? Çfarë ndodhi? Një ndeshje që nuk justifikon aspak sakrificat e shqiptarëve, për më tepër që në letër Shqipëria më e mirë kishte përballë Italinë më të dobët të 20 apo 30 viteve të fundit. Në të shkuarën kemi humbur plot ndeshje ndaj gigandëve të futbollit botëror, por këtë herë humbëm edhe “dinjitetin”.
Nga Pirro Bardhyli