Nga Italia “skanojnë” Shqipërinë: Ylli i skuadrës luan në Premier League

Kundërshtari i parë për Italinë në Euro 2024 është Shqipëria, sfidë që luhet më datë 15 qershor. Dy kombëtaret janë shortuar në Grupin B aty ku bëjnë pjesë edhe Spanja me Kroacinë. Mediat përtej Adriatikut kanë nisur tashmë të skanojnë dhe të vëzhgojnë me imtësi organikën e trajnerit Sylvinho. Në shkrimet e mediave italiane, theksi vendoset te numri i lartë i lojtarëve shqiptare që janë pjesë e Serie A, por paralajmërojnë kombëtaren e tyre se ylli i vërtetë i kuqezinjve luan në Premier League. Fjala është për Armando Brojën, ndërsa mediat cilësojnë si lojtarin më interesant për t’u vëzhguar, Mario Mitajn.

“Ka qenë në më shumë se një rast pranë transferimit në Serie A dhe tashmë është sërish në fokusin e Milanit. Broja është lojtari në pronësi të Chelseat që vjen pas katër muajsh jo shumë të mirë në huazim te Fulham. Por, pavarësisht kësaj trajneri Sylvinho do t’i kërkojë nga Broja golat për të bërë surprizën në Europian. Dëmtimi nuk e lejoi të ishte pjesë e kualifikueseve, rikthimi në fushë nuk ishte entuziasmues dhe përfshirja në skuadër nuk është e lehtë. Megjithatë, është një lojtar shumë i rëndësishëm për të mos qenë qendra e projektit të Shqipërisë.

Lojtari për t’u pasur në vëmendje, Mario Mitaj:

Aktualisht është pjesë e Lokomotivës së Moskës në Rusi. Është një lojtar i datëlindjes 2003 dhe që tani po ndiqet nga klube të mëdha, përfshirë edhe Juventusin. Futbollistikisht është rritur te AEK-u i Athinës dhe preferoi kombëtaren shqiptare para asaj greke. Tashmë është pjesë e përhershme e 11-tëshes titullare të Shqipërisë.

Edy Reja, trajneri që e bëri të debutonte me kombëtaren kur ishte vetëm 17-vjeçar, para disa ditësh u shpreh: Më bëri shumë përshtypja mënyra si e “përkëdhel” topin dhe inteligjenca për të lexuar lojën. Është një i majtë perfekt për mbrojtjen me katër dhe me një mesfushë e sulm të përbërë me tre. Vendoset shumë mirë, kupton situatat dhe është shumë i rëndësishëm me daljet e tij përpara. Është perfekt për një sistem 4-3-3”.

Në fund, mediat italiane “guxojnë” edhe të bëjnë një parashikim të tyrin për 11-tëshen që trajneri Sylvinho do të hedhë në fushë ndeshjen e parë të Europianit ndaj Italisë duke i rreshtuar kuqezinjtë me formacionin 4-3-3;

Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Laçi, Asani, Broja

sfidanti.al