Partizani vitet e fundit ka nxjerrë shumë futbollistë të rinj e të talentuar, të cilët janë larguar më pas jashtë vendit, duke vijuar kështu në mënyrën më të mirë traditën e klubit 17 herë kampion të vendit. Megjithatë me përfundimin e këtij sezoni, tek klubi i “Demave” po ngjall kuriozitet mundësia për të rikthyer në “shtëpi”, disa prej futbollistëve, të cilët kanë lënë gjurmë sezone më parë, me fanellën e kuqe, kjo pasi atyre u ka përfunduar kontrata aktuale me klubet ku janë aktivizuar deri më tani. Së fundmi, dy lojtarë që kanë spikatur me fanellën e kuqe kanë dalë lojtarë të lirë, duke u shndërruar në opsione për Partizanin. Eraldo Çinari konfirmoi dje ndarjen nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës. Sulmuesi shkodran u tentua nga Partizani edhe në muajin janar, por dëshira e tij duket rikthimi në një ligë të fortë jashtë rajonit tonë. Ama nëse kjo dëshirë s’plotësohet, drejtuesit e kuq janë të gatshëm të ndërhyjnë. Jurgen Bardhi në fund të muajit del i lirë. 26-vjeçari përfundon kontratën me klubin e Keçiorengyçy në Ligën e Parë turke. Në këtë sezon ai ka qenë titullar fiks në ekipin e tij me 33 paraqitje, duke koleksionuar 3 gola dhe 5 asiste. Edhe fantazisti nga Fushë-Kruja mendon për të luajtur në një kampionat të huaj, por “plani B” mbetet Partizani. Klubi i kuq e ka telefonuar disa herë në këto tre sezone që Bardhi luan jashtë. Beratasi Eneo Bitri dje njoftoi largimin nga Krakiova dhe rikthimin te Valerenga në Norvegji. Mbrojtësi ka kontratë deri në vitin 2026 me norvegjezët, por qëndrimi atje duket i vështirë, pasi vetë mbrojtësi nuk preferon të vazhdojë. Rikthimi te Partizani ka qenë gjithnjë opsion për Bitrin.
sfidanti.al