Pa u ftohur ende entuziazmi i fitores së 15-të në Champions League, Real Madrid ka mbyllur të gjithë dokumentacionin për transferimin e Kilian Mbape deri më 2029. Firmosja e kontratës dhe prezantimi i francezit në Bernabeu do të bëhen javën e ardhshme. Festa e fitores së 15-të në Champions League nuk është shuar ende dhe Real Madrid sapo ka hedhur një hap të rëndësishëm për të qenë favoriti edhe për të 16-tën. Klubi spanjoll ka mbyllur dokumentacionin e marrëveshjes me Kilian Mbape, me kontratën që do të firmoset javën e ardhshme, kur do të prezantohet edhe lojtari, për të ndërtuar një skuadër edhe më të frikshme në dispozicion të trajnerit Karlo Ançeloti.
Francezi e mbyll më 30 qershor kontratën me Paris SG dhe nga 1 korriku do të jetë lojtar i klubit më të famshëm në botë. Lajmi është konfirmuar nga burime të ndryshme nga Spanja e jashtë saj. Kontrata do të jetë 5-vjeçare, deri më 2029, dhe falë saj francezi do të jetë lojtari më i paguar i skuadrës, ndonëse do të ketë pagë më të ulët se ajo në Francë, që ishte 72 milion euro bruto në vit. Në Madrid, Mbape do të fitojë rreth 20 milion euro në vit, plus bonuset në bazë të rezultateve personale dhe të skuadrës. Për hedhjen e firmës në kontratë, Mbape nuk do të paguhet 100 apo 120 milion euro siç është përfolur shpesh në media, por më pak se 50 milion, siç ka bërë të ditur televizioni spanjoll El Chiringuito. Lojtari francez e kishte vendosur që në shkurt që nuk do të vazhdonte më me klubin parizien dhe në maj u dha lamtumirën tifozëve për të nisur aventurën e re në Madrid menjëherë pas impenjimit me Francën në kampionatin evropian.
sfidanti.al