Katari, arsyeja e përjashtimit të Luis Albertos

Pas fitores ndaj Salernitana-s, Luis Alberto çuditërisht i kishte shpallur lamtumirën Lacios, duke e inatosur Claudio Lotiton, më pas goli vendimtar kundër Genoas i kompletuar me një puthje në stemën në fanellë, dukej se e kishte rikthyer çështjen, por dje para ndeshjes kundër Empolit, spanjolli u përjashtua nga skuadra për arsye disiplinore dhe sot Il Messaggero zbuloi se cila është  arsyeja e vërtetë pas zgjedhjes së Igor Tudor.

“E kam përjashtuar për një zgjedhje teknike”, ka shpjeguar trajneri para ndeshjes ndaj toskanëve pa dhënë shumë shpjegime, por edhe duke saktësuar se, “do të rikthehet në stërvitje me skuadrën të martën për t’u përgatitur për ndeshjen ndaj Interit”.

Megjithatë, sipas gazetës, zgjedhja nuk është thjesht “teknike”, sepse mes Tudorit dhe lojtarit ka pasur një ndeshje të vështirë ballë për ballë në stërvitjen e fundit të së premtes, kur trajneri kroat e ka  qortuar spanjollin për mungesë angazhimi të tij dhe Luis Alberto  ishte përgjigjur ashpër.

Por problemi i vërtetë, nënvizon Il Messaggero, është se spanjolli, i cili tetorin e kaluar zgjati kontratën deri në vitin 2027, ka një marrëveshje të pasur me një klub nga Katari dhe për këtë arsye do të bënte gjithçka për t’u çliruar nga Lazio në qershor. Një qëndrim që nuk i ka shkuar mirë Lotitos, i cili absolutisht nuk dëshiron ta humbasë për asgjë dhe e ka vendosur çmimin e shitjes së tij në rreth 15 milionë euro.

sfidanti.al