Al-Khelaifi “thumboi” Laportën për Superligën Europiane

Nasser Al-Khelaifi është një nga zërat më të fortë kundër Superligës Europiane, projekt që vazhdon të mbështetet fuqimisht nga Real Madrid dhe Barcelona. Në një deklaratë për iberiken Marca, presidenti i PSG-së dhe ECA-s (Shoqata e Klubeve Europiane) zbuloi se çfarë i kërkon Joan Laportës, kreut të klubit katalanas.“Për mua Superliga nuk ekziston! E pyeta edhe Laportën se kur kanë ndërmend të heqin dorë nga kjo ide idiote?! Champions League është kompeticioni për klube më i bukur në botë. Dhe Barça po garon në Champions. U ndeshëm me ta në çerekfinale. Uroj të tërhiqen shpejt nga projekti i Superligës, sepse nuk ka fare sens. Ata e kanë derën e hapur për t’u rikthyer“, theksoi Al-Khelaifi. PSG eliminoi Barçën në çerekfinalet e Championsit me rezultatin e përgjithshëm 6-4. Skuadra e Luis Enriques do të sfidojë gjermanët e Dortmundit në gjysmëfinale. Kampionët e Francës nuk e kanë fituar kurrë trofeun më të rëndësishëm për klube, teksa shpresojnë që ky të jetë viti i duhur për të festuar poshtë kullës Eifel.

sfidanti.al