Ancelotti kërkon “tortën” nga lojtarët e Real Madrid

Carlo Ancelotti foli në prag të El Clasico, e cila mund ta sjellë Real Madridin e tij më afër fitimit të kampionatit: “Ekipi po rikuperohet mirë. Ka lojtarë që kanë nevojë për një ditë shtesë. Mendy nuk u stërvit sot. Ne do të vendosim ekipin më të mirë të mundshëm në fushë”, raporton As.

Si i vlerësoni kritikat e marra pas arritjes në gjysmëfinale të Champions League?

“Nuk jam i befasuar. Të gjithë mund të kenë mendimin e tyre. Për ne është shumë e qartë se si duhet të luajmë. Duhet të menaxhosh mirë kur ke topin dhe kur jo. Deri më tani nuk kam gjetur asnjë nga fansat tanë të trishtuar: ata janë të gjithë të lumtur dhe unë po ashtu”.

Një ditë më parë Casemiro tha që keni qarë kur ai u largua…

“Ai ishte një legjendë dhe kur u largua ishte një moment emocional jo vetëm për mua, por për të gjithë tifozët e Real Madridit”.

Si e sheh Naçon?

“Ai duhet të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Luajti një lojë spektakolare, një lojë të nivelit më të lartë. Ai ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë një qendërmbrojtës i shkëlqyer”.

Penalltitë dhe refuzimi nga Valverde dhe Militao…

“Ne gjithmonë i pyesim lojtarët se si po shkojnë. Është një moment i rëndësishëm dhe duhet të jesh gati. Mendoj se të gjithë ndihmuan, si Kepa, ne kishim shumë informacion për gjuajtësit dhe shkoi mirë. Luis Llopis punoi shumë në këtë aspekt”.

Si është Militao?

“Ai mund të jetë titullar. Dëshiron të luajë dhe mund të jetë një opsion”.

Valverde është lojtari që ka më shumë minuta gjatë gjithë sezonit.

“Është e vështirë të thuhet se çfarë mund të përmirësohet. Ai është një lojtar skuadre dhe kjo është vendimtare. Bën mirë në çdo pozicion, asiston dhe shënon. Për mua ai është i pazëvendësueshëm”.

Tani vjen Barcelona…

“Do të jetë një rival shumë i fortë, i cili po bën shumë mirë. Ne jemi të bindur se do të jetë një El Clasico si gjithmonë, do të jetë shumë konkurruese. Është një mundësi e shkëlqyer për t’iu afruar La Ligës”.

Çfarë vlerësimi i jepni këtij sezoni?

“Po ia dalim mirë. Torta është gati dhe gjithçka që mungon për këtë muaj është qershia. Kemi mbërritur mirë, duke i rikthyer lojtarët dhe duhet të vendosim qershinë këtë muaj”.

Ku është forca e këtij grupi?

“Të gjithë e vendosin suksesin e ekipit përpara egos personale. Të shohësh një angazhim si ai i ditëve të tjera është e rrallë në një ekip të nivelit të lartë”.

sfidanti.al