Vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës nxjerrin në pah një tjetër problematikë te Tirana ku shtohen detyrimet ndaj ish-lojtarëve apo personave të federuar në klub. Bardheblutë ende nuk kanë shlyer detyrimet ndaj ish trajnerit Orges Shehi, me të cilin humbën gjyqin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pak muaj më parë. Diçka e tillë është lehtësisht e kuptueshme teksa në një ndër pikat e Vendimit të disiplinës lexon se vendosi:
“Pranimin e kërkesës së kërkuesit Orges Shehi. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 9, datë 14.12.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”.
Pra klubi bardheblu ka një afat prej 30 ditësh për të shlyer detyrimet ndaj Orges Shehit. Ky fitoi në mes të dhjetorit të kaluar gjyqin me klubin kryeqytetas që kishte larguar teknikun nga stoli që në muajin tetor duke shpikur termin pezullim.
Shehi që në këtë mënyrë nuk mund të angazhohej as me një kub tjetër, çoi çështjen në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, e cila i dha të drejtë duke detyruar Tiranën t’i paguajë një shumë të rëndësishme duke qene se vetëm për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, bardheblutë duhet t’i paguajnë teknikut aktual të Partizanit pagën e plotë në të cilën përfshihen dhe të drejtat e imazhit. Nëse dështon për të respektuar këtë afat shlyerje detyrimi, Tirana rrezikon deri penalizimin në pikë në kampionatin aktual, çka do ta komplikonte objektivin e bardhebluve për një vend në “Final Four”…
sfidanti.al