Trajneri i Spartës thur elozhe për Tucin

Indrit Tuci u transferua gjatë merkatos dimërore nga Lokomotiva e Zagrebit te Sparta e Pragës, ekip ku luan edhe Qazim Laçi. Me mesfushorin energjik të Kombëtares që është një nga të preferuarit e tifozëve. Tuci po përshtatet shumë mirë te kampionët e Çekisë. Të mërkurën u shfaq protagonist me asist në suksesin 0-2 kundër Opavës, që i siguroi Spartës kualifikimin në finalen e Kupës së Çekisë. Në deklaratën pas fitores, trajneri i ekipit kryeqytetas, Brian Priske, u ndal edhe tek Indrit Tuci dhe Markus Solbakken, dy afrimet e merkatos së janarit. “Tuci dhe Solbakken po përshtaten shumë shpejt me ne. Kjo dëshmon jo vetëm për qëndrimin e tyre, por edhe mjedisin e mirë që ekziston te Sparta. Ata duan të mësojnë dhe të përfshihen sa më shumë në punën e përditshme. Në të njëjtën kohë, ata po ndihen rehat edhe me shokët e rinj të skuadrës. Dallohet një gjë e tillë edhe në performancat e tyre. Karakteristikat e Tucit dhe Solbakken përshtaten në mënyrë të përkryer me ekipin tonë. Jam i kënaqur me të dy. Tani e kanë vetë në dorë të bëjnë edhe më mirë dhe të përmirësohen edhe më shumë”, deklaroi tekniku danez i kampionëve në fuqi të Çekisë. Sparta kryeson kampionatin me 66 pikë, një më shumë se Slavia ndjekëse. Ndërkohë që në finalen e Kupës së Çekisë, Sparta do të përballet me fituesin e Plzen-Zlin. 23-vjeçari laçian numëron 1 gol dhe 3 asiste me Spartën në 9 takimet e zhvilluara mes kampionatit, Kupës dhe Europa League.

 

sfidanti.al