Peshëngritje, Qerimaj mungon në Tajlandë,

Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me një sportist në Kupën e Botës në Peshëngritje. Briken Calja do të marrë pjesë në aktivitetin e fundit kualifikues për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ndërsa Erkand Qerimaj për arsye shëndetësore do të mungojë në këtë turne. “Ditën e djeshme më datë 31/03/2024 është nisur drejt Tajlandës për aktivitetin e fundit kualifikues për Lojërat Olimpike “Paris 2024 ” pretendenti i vetëm për kualifikim Briken Calja. Gjithashtu bëjme me dije se sportisti Erkand Qerimaj, për arsye shendetësore ka hequr dorë nga aktiviteti i fundit kualifikues “Kupa e Botes” Tajlandë”, shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ndërkohë ka edhe një lajm pozitiv, pasi Federata e Peshëngritjes njofton se Kampionati Botëror i të Rinjve 2027 do të zhvillohet në Shqipëri. “Në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Peshengritjes në Phuket, Tajlandë, u vendos me 100% të votave që Shqiperia të jetë vendi organizator për zhvillimin e Kampionatit Botëror të të Rinjve për vitin 2027”, shkruhet në njoftim.

sfidanti.al