Mesfushori i famshëm kilen, Arturo Vidal përfundon në gjyq për një çështje tepër absurde. Ai është paditur pasi shkatërroi një vilë luksoze në Brazil dhe për më tepër nuk pagoi qiranë për të. Në muajin janar të këtij viti, Arturo Vidal u transferua nga Flamengo në Brazil, tek Colo-Colo në atdheun e tij, Kilin. Mesfushori me një karrierë të pasur në cv e tij, dëshironte që vitet e mbetura të karrierës t’i shpenzonte me klubin ku pikërisht nisi rrugëtimin e tij të gjatë dhe me plot suksese dhe trofe. Ish-lojtari i Juventusit, Bajernit, Barcelonës, Interit apo edhe Leverkusenit prej vitit 2022 u transferuar te brazilianët e Flamengos, duke mbyllur aventurën në Europë me zikaltërit. Mirëpo, aventura e fundit në Brazil do ta përndjekë, pasi 36-vjeçari është i detyruar të paraqitet në Gjykatë, pasi akuzohet se nuk ka paguar qiranë e vilës luksoze ku jetonte në Rio De Janeiro. Vidal ka akumuluar një borxh prej 23.000 dollarësh ndaj pronarit të vilës, duke mos paguar tarifën e qirasë, ndërsa një tjetër problem është edhe fakti se mesfushori nuk është kujdesur për banesën ku jetonte. Sipas menaxherit të pronës në Brazil, Vidal ka shkaktuar një dëm prej 230.000 dollarë teksa jo vetëm që nuk e ka mirëmbajtur banesën, por e ka dëmtuar atë. Tashmë, do të jetë Gjykata e Rio De Janeiros ajo që do të vendosë me 36-vjeçarin që me shumë gjasa do t’i duhet të shpenzojë një shumë marramendëse për të mbyllur punët me drejtësinë braziliane. Ndërkohë, që prej transferimit të tij te Colo Colo, Vidal ka zhvilluar vetëm 2 ndeshje në elitën e futbollit kilen, ndërsa ka arritur të realizojë një gol në Superkupën e Kilit.
sfidanti.al