Igli Tare vazhdon në këtë periudhë turneun e tij në Europë, duke ndjekur ndeshje futbolli, në pritje të një projekti të ri për të rifilluar punën si drejtues. Ish-futbollisti shqiptar, i cili bëri emër të Lacio në vitet e tij si drejtues sportiv, ka shpjeguar atë që po bën aktualisht, por edhe plane e të radhës në një intervistë të dhënë për “Kicker” në Gjermani. “Në fillim ishte mundësia për t’u relaksuar dhe për të kaluar shumë kohë me familjen. Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme pas periudhës së gjatë dhe të lodhshme te Lacio. Epiqendra e jetës tonë mbetet përsëri Roma, por në muajt e fundit unë kam udhëtuar përsëri shumë duke ndjekur futboll në gjithë Europën. Padyshim në ligat e mëdha, por dhe në Greqi dhe Turqi. A ndjek klube individuale? Vazhdoj përsëri ta bëj. Shumë shpejt do të vizitoj Pep Guardiolën te Mançester Sitit dhe Roberto De Zerbin te Brajtoni. Jam shumë i entuziazmuar për njohurit që do të marr atje”, tha Tare për mediat gjermane. Ai shpjegoi pastaj edhe se si kishte punuar pa një departament skautimi te Lacio, duke bazuar kërkimin e lojtarëve te kontaktet që ai kishte krijuar në të gjithë botën ndër vite, teksa pranoi se tërhiqte shumë edhe mënyra se si funksiononin klubet në Bundesligë. “Bundesliga është jashtëzakonisht tërheqëse për shkak të mënyrës se si administrohet, lidhja që kanë tifozët me klubin e bën kulturën futbollistike në Gjermani shumë speciale. Edhe atmosfera në stadiume është unike”, vijoi ai. I pyetur për Euro 2024, Tare tregoi bindjen që ka se Gjermania do të ishte protagoniste, ndërsa shprehur fjalë shumë të mira për Kombëtaren kuqezi dhe tifozët e saj. “Jam, 100% i bindur se Gjermania do të jetë një nga katër skuadrat që do të luftojnë për titullin në Europian, përkrah Spanjës, Francës dhe Italisë. Shqipëria? Do të jetë një vlerë e shtuar për Europianin dhe ndoshta do të fitojë më shumë simpati nga të gjithë në Gjermani. Në fushë dhe në tribuna. Fansat janë jashtëzakonisht entuziastë, fanatikë në sensin pozitiv. Fjala “huligan” nuk ekziston në Shqipëri”, tha Tare.
sfidanti.al