Gareth Southgate i bën një propozim interesant UEFA-s duke kërkuar që të shtojë në listën e Euro 2024 edhe tre lojtarë për shkak të krizës së dëmtimeve. Sipas timonierit të Tre Luanëve, skuadrat duhet të marrin 26 lojtarë në fushatën Gjermani 2024 pasi kalendari i ngjeshur e ka rritur shumë ngarkesën e lojtarëve dhe rreziku i dëmtimeve është shumë i madh. Nëse UEFA e merr parasysh kërkesën e Southgate që vjen në serinë e propozimeve të tjera të ngjashme nga trajnerët e kombëtareve, atëherë ky do të ishte një lajm i mirë edhe për Shqipërinë pasi trajneri Sylvinho do të kishte një organikë më të bollshme ne dispozicion. Të gjithë trajnerët e skuadrave pjesëmarrëse të Euro 2024 do të jenë të pranishëm në një takim pune në Dusseldorf në 8 dhe 9 prill dhe një nga temat kryesore do të jetë pikërisht kjo. Normalisht, në turnetë madhorë, numri standart i lojtarëve është 23 por si pasojë e pandemisë Euro 2020 dhe Kupa e Botës 2022 lejuan grumbullimin e 26 lojtarëve për çdo skuadër, rregull që mund të vendoset përgjithmonë në takimin e muajit prill.