Kombëtarja mendon për Suedinë, rikthehet Berisha

Pas sfidës me Kilin, kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë. Kuqezinjtë zhvilluan një seancë të lehtë stërvitore paraditen e së shtunës në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës. Dhe pas përfundimit të saj janë nisur drejt Stokholmit. Departamenti i Komunikimit në FSHF, bën me dije se Etrit Berisha ka udhëtuar me ekipin për sfidën ndaj kombëtares nordike. Pas dëmtimit të pësuar, gjendja e portierit kuqezi është më e mirë dhe do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor. Lojtarët që u aktivizuan titullarë me Kilin, zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top. Ndërsa futbollistët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues, bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike. Kombëtarja do të mbyllë përgatitjet për sfidën ndaj Suedisë ditën e nesërme, me seancën e fundit stërvitore që do të kryhet në stadiumin e ndeshjes. Suedi-Shqipëri do të luhet të hënën e 25 mars, në stadiumin “Friends Arena”.

sfidanti.al