Luis Figo është i bindur se sistemi VAR nuk do të mund të shuajë kurrë polemikat në futboll, pasi sipas tij vendimet në fund do të jenë gjithmonë të interpretueshme. Ndër të tjera, në një intervistë për prestigjiozen spanjolle “Marca”, ish-lojtari i Real Madrid u shpreh se është i rreshtuar në anën e tyre që janë kundër krijimit të një kompeticioni të ri si Superliga.
“VAR shërben për situata të veçanta në zonë. Lojtarë, trajnerë, tifozë, gazetarë, duhet të jenë më të qartë për atë që shohin pasi nuk duhet të ketë kaq shumë opinione, po krijohet shumë rrëmujë dhe njerëzit nuk e kuptojnë më atë që po ndodh. Mund të flasim me orë të tëra për VAR-in, por nuk do të jemi kurrë dakord sepse futbolli nuk ka vendime ‘bardh apo zi’. Futbolli ka nuanca. Pse jam kundër Superligës? Mua kompeticionet e ndryshme më pëlqejnë, por vetëm nëse ka konkurrencë. Unë e kam nisur karrierën te Sportingu dhe me mënyrën si është ndërtuar Superliga, nuk do të kisha kurrë shansin që të luaja në nivelet më të larta. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë Champions League sepse e shihja në TV, dhe dëshiroja që një ditë të mbërrija aty. Champions ta jep këtë mundësi”, u shpreh Figo.
sfidanti.al