Trajneri i Evertonit e tepron në stërvitje, godet me shuplakë mbrojtësin

Trajneri i Everton, Sean Dyche i habiti të gjithë lojtarët kur në grumbullimin e skuadrës në Portugali, goditi me shuplakë para të gjithëve mbrojtësin Nathan Patterson. Në fakt, e gjitha ishte në kuadrin e një shakaje, mirëpo 52-vjeçari nuk kontrolloi forcën dhe 22-vjeçari u ndje keq për situatën që u krijua dhe aq më tepër para syve të të gjithë skuadrës. E menjëhershme ishte ndërhyrja e kapitenit, James Tarkowski i cili e tërhoqi veçmas trajnerin Dyche, me këtë të fundit që pas disa minutash u kthye dhe kërkoi falje për episodin. Sipas mediave britanike, ky incident u mbyll në moment dhe nuk ka lënë pas hatërmbetje nga mbrojtësi Patterson. Everton do të rikthehet në fushë më datë 30 mars pas grumbullimit të kombëtareve, kur do të përballet me Bournemouth në transfertë. Skuadra po kalon një sezon tejet të vështirë duke qenë se është penalizuar me gjashtë pikë nga Federata, dhe aktualisht renditet në vendin e 16 me 25 pikë në garë për mbijetesën në elitë.

 

sfidanti.al