Fetel: I fitova disa vezë në festën e Pashkëve!

Tani që ka një makinë të nivelit të lartë, mund ta tregojë sesa vlen. Sebastian Fetel është 100 për qind pretendent për titull këtë vit në Formula 1, pavarësisht se Hamilton do të jetë konkurrent i jashtëzakonshëm deri në fund, dhe ndoshta edhe mund të fitojë. Piloti gjerman u tregua edhe një herë metodik, duke kujtuar deri diku patriotin e tij të madh dhe fatkeq, Mikael Shumaher.

Kampioni i dikurshëm, Mario Andreti, nuk mund të rrijë pa e lavdëruar. “Seb është piloti im i preferuar, sapo ka fituar një garë dhe thotë se mezi pret që të ngjitet përsëri në makinë për provat e radhës. Kjo është etikë pune”, shkruante ai në rrjetet sociale.

Vetë Fetel e merr me shaka fitoren në Bahrein. “Ishte një “gjueti” për Pashkë dhe arrita të gjej disa nga vezët”, – tha ai. Më pas, duke u menduar me më shumë qetësi, gjermani shtoi se “do të jetë një vit i gjatë”. Ai tregoi se “të shtunën pas provave, ishte keq moralisht pasi diferenca ishte e madhe, por më pas i thashë vetes se kemi një makinë shumë të mirë”.

Sfidanti.al