Ljuis Hamilton mund të thuhet se mundi vetveten në Çmimin e Madh të Bahreinit, duke u detyruar të kënaqej me vendin e dytë, pas Sebastian Fetelit të Ferrarit. Piloti anglez nuk mundi ta parakalonte në fund gjermanin e “kokëkuqes”, i cili shkon në Rusi me 7 pikë epërsi.
Momenti vendimtar u duk se ishte gjatë ndalesës së njëkohshme të të dyja makinave Mercedesi, dhe Hamiltonit për fat të keq iu desh të ishte i dyti, pas Botasit. Ai ngadalësoi më shumë se duhet duke penguar Riçardon e Red Bullit dhe u dënua me 5 sekonda për këtë veprim.
Në përfundim, diferenca e Ljuisit me Sebin ishte diku tek 5 sekondat, pra pa dënimin, ai mund edhe të kishte dalë fitues. Gjithsesi, kjo nuk i heq asnjë meritë Fetelit që u bë i pari pilot i Ferrarit që fiton dy nga tri garat e para të sezonit që nga koha e Mikael Shumaherit. Ky konstatim nuk është aspak një gjë e vogël.
“Ishte një ditë e madhe, – tha Fetel pas garës, – ishte fitore e madhe dhe u ndjeva shumë i lumtur duke parë fishekzjarrët. Ishte fitore e gjithë skuadrës, dhe makina ishte e mrekullueshme”. “Urime Sebit, – tha Hamilton, – gabimi ishte i imi dhe i kërkoj falje skuadrës. Bëra maksimumin që ta mbërrija, por isha shumë larg, veçse kjo nuk do të thotë se do të dorëzohemi”.
Fetel ka 68 pikë ndaj 61 të Hamiltonit, ndërsa Ferrari kryeson Botërorin e Formula 1, me 102 pikë, kurse Mercedesi ka 99.
Sfidanti.al