Italia ka humbur një legjendë tjetër të futbollit, njeriun që i dhuroi Cagliarit një magji dhe kombëtares të parin europian. Gigi Riva, i vecantë në llojin e tij, askush si ai në fushën e blertë, sulmues që i kaloi kufijtë e sportit. I mbrujtur me talent, forcë, kurajo, pavarësi dhe integritet, cilësi që edhe të veçuara nuk gjenden më te shumë futbollistë sot. Iu betua besnikëri të përjetshme Sardenjës duke refuzuar oferta joshëse nga Inter dhe Juve ndërsa në karrierë fitoi vetëm një titull por me shije shumë të veçantë, atë me Cagliarin, të parin dhe të vetmin edhe për ekipin ishullor.
Riva nuk ishte një tip mediatik, e madje në Kombëtaren e vitit 1970 që arriti deri në finalen e madhe me Brazilin, ai ishte një nga talentet e izoluar të asaj skuadre duke preferuar vetminë ndërsa fakti që nuk ishte asnjëherë në qendër të vëmendjes, nuk e bëri asnjëherë xheloz. 35 gola në 42 ndeshje me fanellën e katër dhe sot askush nuk ka arritur ta kalojë.
Sot nuk ekzistojnë më numra 11 aq elegantë dhe të aftë për të bërë heroin në situata të komplikuara, Riva ishte i tillë por ai ishte njëkohësisht edhe një lojtar delikat e dëmtimet nuk e lejuan asnjëherë të bënte hapin e madh të jetës profesionale. Ai ishte njriu ideal i shokëve të skuadrës në momentet e vështira, lojtari ku të gjithë mund të mbështeteshin për të qarë pas një dështimi. Karizmatik pa u sforcuar për të qenë i tillë, Gigi Riva fliste me heshtjen e tij sepse ai fliste në fushën e lojës dhe Italia sot e qan si një legjendë. Luksi i tij i vërtetë ishte që ta jetonte jetën siç dëshironte, në Sardenjën që e bëri kryeqytetin e tij por në fund e tradhëtoi zemra pas ndoshta miliona cigareve të konsumuara.
Nga Pirro Bardhyli