Licencimi i klubeve, FSHF nis procesin

Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit informon të gjithë klubet e futbollit (për djem dhe vajza) dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve aplikante për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2024-2025. Ky proces do të përmbyllet më 31 mars 2024, sipas afateve të vendosura nga FSHF dhe UEFA. Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur gjashtë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.

Kriteret që duhet të plotësohen janë: kriteri sportiv, ai i përgjegjësisë sociale në futboll, i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriteri financiar. Aplikimet pas afateve të vendosura, nuk do të merren parasysh dhe do të jenë subjekt i Komisionit të Licencimit deri në moslejim të pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s & FSHF-së për sezonin 2024 – 2025.

sfidanti.al