Futbolli uron Ditën e Pavarësisë

Aroma e festës së 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është ndjerë edhe në komunitetin e futbollit, pavarësisht se kjo ditë shumë aktorë kanë qenë të impenjuar në fushë. Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet uruan nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Institucioni i futbollit në vend kishte zgjedhur disa nga momentet më të bukura të kualifikueseve të Euro 2024, duke e shoqëruar me kolonën zanore Rrjedh në këngë e ligjërime, ku refreni “Po ku ka si ti o Shqipëria ime” është edhe slogani që do të shoqërojë kuqezinjtë në aventurën e vitit të ardhshëm në Gjermani. Edhe klubi i Tiranës ka postuar një video, ku shihen edhe një pjesë e futbollistëve bardheblu të veshur me kostume popullore nën tingujt e këngës “Shqipëri o nëna ime”. Ndërsa Partizani ka uruar me një pjesë të futbollistëve të kuq, teksa në fillim shfaqet Eros Grezda e të tjerët më pas. Gjithashtu, edhe klubet e tjera, por edhe futbollistë të shquar të Kombëtares kanë uruar festën e flamurit.

sfidanti.al