Në ndeshjen Kroaci-Letoni, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2024, në tribunën e ultrasve vendas u shpalos një flamur i ndaluar i ish-qeverisë fashiste kroate. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin është ndalur te tifozët dhe ndikimi i tyre në sportin më të bukur gjatë një debati në Panairin e Librit në Frankfurt të Gjermanisë.
“95% e tifozëve janë njerëz që e duan futbollin. 5% janë idiotë, të cilët abuzojnë me vëmendjen e madhe që merr futbolli për të shprehur ideologjitë e tyre idiote. Ne përpiqemi të ndërhyjmë, por kemi nevojë edhe për ndihmën e qeverive. Ata që hapën flamurin fashist në Kroaci, janë burgosur të gjithë nga qeveria. Ka ardhur koha të reagojmë ndryshe ndaj këtyre idiotëve”, u shpreh slloveni në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rijeka.
Kreu i futbollit europian, u ndal edhe te situata në fushën e blertë mes futbollistëve: “Askush nuk të pyet për origjinën, fenë apo orientimin seksual. Në fushë, nëse nuk ke talent dhe nuk je mjaftueshëm i shpejtë, nuk luan edhe nëse je djali i mbretit”, theksoi Ceferin.