Kombëtarja e Shqipërisë zbret sonte në orën 18:00 në fushën e lojës së “Air Albania Stadium” për të tentuar një fitore ndaj Bullgarisë që mungon që prej plot 73 vitesh. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për të shtyrë tifozët dhe njerëzit e thjeshtë të pranonin paktin për të mbyllur njërin sy e vesh pas “masakrës” me biletat e Çekisë por jo, nuk ndodhi kështu. Njerëzit, pavarësisht thirrjeve të dëshpëruara të federatës, do ta braktisin në masë Kombëtaren që çuditërisht vetëm 4 ditë më parë u bë “lodra” më e shtrenjtë e VIP-ave në radhë për një selfie me Asanin, Bajramin, Asllanin apo lojtarët e tjerë. Sot rikthehemi në pikën zero dhe në këtë mes Kombëtarja nuk ka asnjë faj.
Kush trumbeton se “tifozët e vërtetë duken edhe në miqësore”, harron një detaj shumë të rëndësishëm pasi tifozët e vërtetë nuk shkelen e nëpërkëmben në ndeshje të vërteta për t’i lënë vend armatës së VIP-ave që biletat i siguruan vetëm me një telefonatë në numrin misterioz të shefit (i cili u përfol se kishte vendosur në karantinë numrin personal). Gazetarët? Shumë prej tyre si shenjë hakmarrjeje për ndonjë thumb a kritikë, sërish nuk përfituan akreditimet, pavarësisht sakrificave të gjata në ndjekje të Kombëtares, por në zonën VIP të njerëzve të mediave, pasarela mode dhe emra “furçash” gjen shpesh herë me shumicë. Kjo është situuata sot dhe disa nga shkaqet e braktisjes masive të Kombëtares që në ditë të vësjtira ashtu si edhe në ditë të mira, duhet të jetë skuadra e të gjithëve.
sfidanti.al