Shilhavi i zhgënjyer: E vërteta është që Bajrami e goditi topin shumë mirë

Trajneri i Çekisë, Jaroslav Shilhavi u shpreh i zhgënjyer për barazimin me Shqipërinë por ai i dha meritat e duhura mesfushorit Nedim Bajrami për finalizimin fantastik me të djathtën në minutën e 66.

“Nuk fituam, djemtë janë të zhgënjyer, janë kokulur në dhomat e zhveshjeve. Ne u përmirësuam në pjesën e dytë, shënuam dy gola, por vetëm njëri kishte vlerë. Për fat të keq, pas gabimit tonë, ne i dhuruam një gol kundërshtarit. Është një mëkat, duhej të kishim fituar.

U çudita edhe unë nga pjesa e parë. Por njëkohësisht e dinim se si do të shkonte, që kishim një ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur. E nisëm nervozë, pa lëvizje, duke bërë shumë pak dyluftime. Pjesa e parë nuk shkoi mirë për ne. Por jam i lumtur që u përmirësuam pas pushimit dhe e kthyem në një performancë më të mirë.

Gabimi i Kral te barazimi? Nuk dua t’i jap shumë vlerë, që të ndëshkoj dikë verbalisht, Po, Aleks bëri një gabim, mbrojtësit duhej të shkonin përballë gjuajtësit. E vërteta është që Bajrami e goditi topin shumë mirë”.

 

Sfidanti.al