UEFA merr vendimin, “bardheblutë” 25 mijë euro gjobë për hedhjen e flakadanëve në fushë

KF Tirana duhet t’i paguajë UEFA-s një gjobë prej 25620 eurosh, për sjelljet e papërshtatshme në sfidën e parë të turit të parë të Conference League që u zhvillua në Tiranë. Ky është vendimi i trupës së kontrollit të etikës dhe disiplinës së UEFA-s, e cila nuk ka falur asnjë gabim të tifozëve.

Për fishekzjarrët e hedhur në fushën e lojës, Tirana është gjobitur 17,000 euro. Për hedhjen e objekteve në fushën e lojës është gjobitur 8,620 euro. Gjithsej janë 25,620 euro gjobë për ndeshjen e parë që u luajt në Tiranë ndaj Dinamos së Batumit. Trupa e kontrollit të etikës dhe disiplinës së UEFA-s, në mbledhjen e ardhshme, do të marrë në shqyrtim edhe ngjarjet e ndodhura në sfidën mes Tiranës dhe Beshiktashit më 3 gusht 2023.

Tani pritet të mësohet se cili do të jetë fati për klubin e Tiranës dhe nëse do të ndëshkohet apo jo, pasi kishte probleme dhe me tifozët bardheblu në trazirat që i paraprinë fillimit të ndeshjes me turqit. Fakt është që delegatja e ndeshjes ka bërë një raport të hollësishëm dhe ka shkruar se disa tifozë hynë në fushë, përveç detajeve të tjera si fishekzjarrët dhe sherrin me tifozët turq. Për bardheblutë pritet një gjobë, por rrezikojnë edhe mbylljen e stadiumit të paktën për një ndeshje.

 

sfidanti.al