Konferenca Lindore është bërë kampionati i gabimeve. Më herët, Bostoni i shkaktoi vetes një humbje të papritur në shtëpi ndaj Miluokit (100-103) duke ia dorëzuar përsëri Klivlendit vendin e parë, por Kavaliers tepër “xhentëlmen” nuk e pranoi dhuratën. U desh të kalonin vetëm 24 orë që skuadra e Lebron Xhejmsit të pësonte një tjetër disfatë, 93-99 në fushën e lavdishme (dikur) të Çikago Bullsit. Skuadra që 20 vjet më parë ka pasur në lidership Majkëll Xhordanin, këtë herë kishte në udhëheqje Nikola Mirotiçin, Rejxhon Rondon, Robin Lopezin apo Kevin Batlerin.
Lebron po kalon një sezon shumë të mirë individualisht dhe në parketin e Arenës së Çikagos kaloi Shakill O’Nillin në renditjen e shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në NBA. Xhejms (realizoi 26 ndaj Çikagos) ka 28 599 pikë, 3 më shumë sesa Shaku. Gjatë këtij viti sportiv, ai ka kaluar radhazi Elvin Hajesin, Mozes Malounin dhe tani Shakill O’Nillin, duke qenë rreth 1600 pikë pas Dirk Novickit.
Në të kundërt, Klivlend po bie poshtë. Muaji mars përfundoi me 6 fitore e 10 humbje, ndërsa Çikago realizoi 4 fitore në 4 ndeshje ndaj kampionëve. Bostoni është sërish në vend të parë në Lindje, ndërsa Kavaliersi (27 humbje deri tani në kampionat) është shumë larg Golden Stejtit (14 humbje), San Antonios (17 humbje) apo Hjustonit (24 humbje).
Sfidanti.al