“Venger ik”, shumica dërrmuese e tifozëve të Arsenalit, kundër trajnerit!

Sondazhi i tifozëve nxorri përfundime që nuk lënë asnjë hije dyshimi. Për ta, Arsen Venger duhet të largohet nga stoli i Arsenalit të paktën deri në fund të sezonit. Rezultati i anketës së bërë nga “Trusti i Tifozëve të Arsenalit” ishte me 78 për qind të favor të ikjes së francezit, dhe me vetëm 22 për qind që ishin në favor të tij, apo që nuk kishin një përgjigje. Ky përfundim me siguri do ta vendosë nën presion të madh bordin drejtues të klubit, i cili e ka mbështetur Vengerin deri tani.

Vetë trajneri ka lënë të kuptohet se dëshiron të vazhdojë, ndërsa mediat flasin se shpejt mund të nënshkruhet një kontratë 2-vjeçare, tashmë që kontrata e tanishme përfundon në qershor. Tifozët kanë përdorur çdo mënyrë për ta detyar klubin të veprojë, ose që Venger të dorëhiqet, ndonëse deri tani pa rezultat. Ata kanë dalë në protestë në shesh, kanë nxjerrë parulla në stadium apo në rrugë dhe kanë ngritur aeroplanin me banderolën kundër trajnerit.

Ish-legjenda Jan Rajt thotë se aksionerët e Arsenalit e duan trajnerin sepse ai është “një lopë që jep shumë qumësht” për ta, pra i sjell shumë fitime, ndërsa tifozëve prej kohësh nuk u sjell më trofe.

Sfidanti.al