Ibrahimoviç e mbyll me Milanin!

Ashtu si në jetë, edhe në futboll, dashuritë e mëdha përfundojnë. Ajo e Zlatan Ibrahimoviç me Milan u mbyll mes emocionesh dhe lotësh në një mbrëmje të madhe në “San Siro”, ku më shumë se 70 mijë tifozë përshëndetën sulmuesin suedez. Në 25 vitet e karrierës së tij spektakolare, fanela kuqezi ka qenë ajo që Ibra ka veshur më shumë, duke luajtur gjashtë sezone të ndarë në dy pjesë. Zlatan u transferua për herë të parë te Milan në vitin 2010, ndërsa më pas u rikthye në janar të vitit 2020.

Në të dyja rastet impakti i tij ishte i shkëlqyer, duke vendosur firmën e tij edhe pse në mënyra të ndryshme në dy titujt e fundit kampion të Milanit. i pari nën drejtimin e Masimiliano Alegrit, ku shënoi 21 gola në 41 ndeshje. i dyti me Stefano Piolin në pankinë. Vetëm 8 gola në 27 ndeshje në trofeun e vitit 2022, por gjithsesi në rolin e liderit të skuadrës në fushë dhe dhomat e zhveshjes. Por vitet kalojnë dhe mosha bën punën e saj, duke detyruar Zlatan Ibrahimovic të dorëzohet përballë dëmtimeve të shumta që fituan ndaj dëshirës së tij të madhe për të vazhduar karrierën.

Sfidanti.al