Silvinjo pret lojë të bukur dhe fitore, shpresohet të mos vijë zhgënjimi!

Është vetëm hera e tretë që del përpara mediave dhe publikut. Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, pati ditën për të sqaruar zgjedhjet e tij dhe për të folur për dy ndeshjet e radhës eliminatore të Europianit, ndërsa më parë ishte në konferencë kur u prezantua dhe përpara Polonisë. Ekipin tani besohet se e njeh më mirë. ” Pyetja është e drejtë, në kuptimin që i njohim më mirë lojtarët që kemi. Nuk ishte e lehtë ndaj Polonisë, sepse patëm më pak kohë. Sot, jemi në grumbullimin e dytë, për dy ndeshje. Pas shumë ditësh pune mund të them se jam i kënaqur me 27 lojtarët që kemi thirrur, ndonëse për fat të keq Gjasulën nuk do ta kemi”, ishin fjalët e tij.

Përtej gjithçkaje duhen fitoret, si mendon Silvinjo t’i arrijë ato? “Mundësia për të fituar një ndeshje është më e madhe kur bën paraqitje të mire, – shprehet braziliani, – Sa më mirë të luash, aq më shumë shanse ke. Natyrisht, rezultati nuk kontrollohet. Unë dua të flas për të gjithë rrugën që do të bëjmë. Kemi edhe 7 ndeshje që janë 7 finale. Duhet të fitojmë, të luajmë mirë, të marrim pikët. Kur flasim për kualifikimin nuk janë vetëm dy ndeshje, por janë 7 ndeshje. Janë më shumë”. Shpresa është që Silvinjo të mos zhgënjehet pasi edhe trajnerët përpara tij kanë kërkuar lojën e bukur dhe pikët, por në shumicën e rasteve nuk kanë marrë as njërën dhe as tjetrën.

Sfidanti.al