“Bernabeu” përcjell legjendën Benzema, ylli francez largohet me gol!

U largua siç e meritonte. Një epokë u mbyll në “Santiago Bernabeu” kur një legjendë e Realit të Madridit doli nga fusha e lojës. Karim Benzema u thirr nga trajneri i tij, Karlo Ançeloti, në minutën e 74-ët në ndeshjes së La Ligës ndaj Bilbaos, vetëm rreth 120 sekonda pasi shënoi, për të marrë brohoritjet e rreth 70 000 tifozëve në stadiumin e lavdishëm. Fenomeni nga Franca, me këtë zëveëndësim, përfundoi karrierën në skuadrën më të madhe të botës, ku luajti për 14 vjet, fitoi gjithçka dhe u adhurua si pak të tjerë. Vetëm pak orë më herët, klubi madrilen kishte lajmëruar zyrtarisht se Benzema do të largohej këtë verë, dhe të gjitha gjasat janë se ai do të vazhdojë të luajë në Arabinë Saudite ku e pret Al Itihad, ekipi kampion me 400 milionë euro në dy vjet.

Reali nuk mundi ta përcillte sulmuesin e tij me fitore, por gjithsesi i dha mundësinë të realizonte dhe të siguronte barazimin 1-1 ndaj ekipit bask. Kjo ishte rrjeta e 354-ët e 35-vjeçarit me fanelën “merenges”, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë në histori pas Kristiano Ronaldos, e duke lënë pas të tillë gjigandë si Raul Gonzales apo Alfredo Di Stefano. Bashkë me Benzemanë, tifozët i dhanë një përshëndetje të nxehtë edhe Marko Asensios, prodhim i Akademisë së Realit, që gjithashtu do të largohet në verë. Bilbao kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga Sanset, ndërsa ishte mjaft e rrezikshme, por vendasit u shpëtuan nga portieri Kurtua që bëri pritje të shkëlqyera, përfshi edhe një 11-metërsh. Benzema siguroi barazimin me penallti, ndërsa largohet pasi fitoi 24 trofe të rëndësishëm, mes të cilëve edhe 5 Champions e 4 tituj në La Ligën spanjolle.

Sfidanti.al