Me këtë sfidë u zhduk çdo enigmë për këtë vit. Do të jetë Erzeni i Shijakut që do të luajë në Abisnet Superligë sezonin e ardhshëm, ashtu siç bëri edhe këtë edicion, pasi fitoi plej ofin ndaj Korabit. Shijakasit e drejtuar nga trajneri Alfred Deliallisi, ia dolën 2-1 përballë dibranëve, ndërsa u ndihmuan edhe nga fakti se kjo finale u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, aty ku Erzeni ka luajtur ndeshjet këtë vit. Ata që mund të quheshin vendasit ishin vazhdimisht në epërsi, fillimisht me goline Sadikit dhe pastaj me atë të Mehmetit, përkatësisht në nisje të ndeshjes, dhe pastaj në nisje të kohëve shtesë.
Gjithsesi, Korabi luftoi fort dhe barazoi shpejt me anë të Tabakut, ndërsa për të përcaktuar fituesin u deshën 120 minuta lojë. Në këtë mënyrë, në Superligë ndryshojnë vetëm dy skuadra për sezonin e ardhshëm, me Kastriotin e Bylisin që ia lanë vendin Skënderbeut e Dinamos. Dibranët nuk ia dolën ndonëse e fituan një plej of më parë ndaj Flamurtarit për të pasur të drejtë që të pretendonin për Superligën, veçse do të detyrohen të luajnë sërish vitin tjetër në Kategorinë e Parë.
Sfidanti.al