Mendilibar: E vështirë kur nuk shënon golat, por Sevilja e meritoi!

Këta janë specialistë. Kjo batutë që në Shqipëri është thënë për një parti politike, në Spanjë dhe në kontinent thuhet për një skuadër futbolli. Është Sevilja dominuesja e Ligës së Europës duke fituar trofeun edhe për këtë sezon në finalen ndaj Romës në stadiumin “Ferenc Pushkash” të Budapestit. U desh një sakrificë e madhe për t’ia dalë sepse fituesi u vendos vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ku spanjollët ishin më të saktë. Triumfi i këtij viti, nën drejtimin e trajnerit Hoze Luis Mendilibar, ishte i shtati në Ligën e Europës për Seviljen, të gjitha fituar në 17 vitet e fundit, që kur konkurrimi e kishte emrin Kupa UEFA. “Kur nuk shënon gol, bëhet e vështirë, – tha tekniku, – Ne luajtëm një finale shumë të mirë, por nuk ishte e lehtë sepse Roma është ekip që mbrohet shumë mirë dhe të rrezikon në kundërsulm. Na ndihmoi barazimi i shpejtë në pjesën e dytë. Tek penalltitë fati ishte me ne. Na ndihmoi Bono që bëri dy pritje, dhe ne u treguam më të saktë. Jemi të lumtur që ia dolëm dhe që morëm trofeun”.

Sfidanti.al