Tifozët përcjellin Granit Xhakën, por shpresojnë që ai të mos largohet!

Shtatë vjet nuk bëhen dot lehtë “hasha”. Kaq ka zgjatur karriera e Granit Xhakës tek Arsenali, ndërsa shqiptari i Zvicrës duket se i bëri mbylljen e duhur. Në atë që me gjasë ishte ndeshja e tij e fundit me fanelën e “topçinjve”, ai realizoi dy gola në portën e Uolvesit në fitoren 5-0. Xhaka do të largohet si nënkampion i Anglisë, i lënë pas vetëm nga i plotfuqishmi Mançester Siti që është favorit për t’u shpallur kampion i Europës. Mesfushori 30-vjeçar ka gati 300 ndeshje me fanelën e Arsenalit, duke shënuar jo shumë vetëm 23 gola, por duke dhënë kontribut të rëndësishëm me karakterin e tij luftarak. Ky i fundit ishte padyshim sezoni i tij më i mirë me 7 rrjeta e 7 asistë.

Tashmë, Xhaka pritet të kalojë tek Leverkuseni në Bundesligën gjermane, që mund të paguajë 15 milionë euro për kartonin, ndërsa tifozët e përcollën si hero. Pati brohoritje për një futbollist që vetëm pak vite më parë u bë “non grata” për shkak të përplasjes pikërisht me tifozët e ekipit të tij. Përkrahësit e Arsenalit shprehën keqardhjen që shqiptari nga Kosova po largohet, duke folur me superlativa për të. Gjithsesi, ata ende mbeten me shpresë që Granit Xhaka në fund të fundit nuk do të largohet, por do të mbetet në ekip për të synuar titullin vitin e ardhshëm.

Sfidanti.al