Bajerni fiton dramën për infarkt, merr titullin e 11-të radhazi në Bundesligë!

Kur futbolli respektohet deri në fund, ndodh edhe kështu. Drama e skajshme në Bundesligën gjermane përfundoi me fitoren e titullit nga ana e Bajernit. Në ndeshjet e fundit, të luajtura në të njëjtën orë, bavarezët ia dolën nga dështimi i pabesueshëm i Dortmundit që nuk mundi të fitonte në shtëpi ndaj Maincit. Borusia u ndal në barazim 2-2, madje duke qenë në humbje 0-2 deri pranë fundit, dhe tifozët e saj, të mbiquajtur “Muri i Verdhë” pësuan një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Mungesa e plotë e përvojës në garën për titull rezultoi fatale për skuadrën e trajnerit Terziç, që madje humbi penallti kur rezultati ishte 1-0 për miqtë.

Reagimi erdhi vetëm 20 minuta para fundit me golin e Gerreros, por barazimi i ish-bavarezit Zyle, nuk ishte më shumë sesa ngushëllim, pasi erdhi në minutën e 6-të shtesë. Bajerni, ndërkaq, bëri detyrën dhe iu fal fatit. Kingsli Koman shënoi që në fillim, ndërsa Xhamal Musiala realizoi rrjetën vendimtare kur kishin mbetur vetëm 60 sekonda nga fundi i kohës së rregullt, duke tejkaluar barazimin e vendasve. Ky ishte titulli i 11-të radhazi i Bajernit, që e fitoi më në fund një trofe të madh këtë sezon duke shmangur dështimin total. Pavarësisht fundit për “infarkt” duhet thënë se në Bundesligë u bë drejtësia sepse fitoi ekipi më i mirë, pavarësisht gabimeve të shumta të këtij viti.

Sfidanti.al