Napoli në Parajsë, fiton titullin e parë që nga Maradona

Më në fund, dita e madhe erdhi, dhe historia u shkrua nga një brez tjetër. U desh të kalonte një e treta e një shekulli, plot 33 vite, që Napoli të shpallej kampion i Italisë. Për t’ia dalë në 2023, nuk pati nevojë për një yll të jashtëzakonshëm, ndoshta më të mirin e të gjitha kohëve, si Diego Armando Maradona. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga trajneri Luçiano Spaleti pati futbollistë të shkëlqyer, një kolektiv të vërtetë, një lojë nga më të bukura në Europë, dhe padyshim më të bukurën në Itali. Duke nisur nga portieri Meret, pastaj Di Lorenco, Rrahmani, Kim, Oliveira, Anguisa, Lobotka, Ndombele, Elmas, Osmihmen dhe Kvarackelia. Për të vazhduar me Golinin, Demen, Huan Zhezusin, Lozanon, Simeonen, Bereshinskin, Zielinskin, Zerbinin apo Raspadorin, si dhe me disa lojtarë të tjerë. Kjo është organika kampione. Vula e titullit u vu në stadiumin e Udinezes (1-1).

Sfidanti.al