U kritikua jo pak, humbi mjaft lojtarë dhe pati dëmtime. Gjithsesi, asnjëra prej tyre nuk po e ndalon Tiranën që ta përfundojë sezonin me suksesin më maksimal të mundshëm. Kampionët në fuqi të Shqipërisë, janë pranë të dyja trofeve, pas një triumfi të vërtetë me shifrat 3-0 ndaj Teutës në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Në “Niko Dovana” duket e vështirë që durrsakët të realizojnë një përmbysje të madhe, ndonëse kjo nuk mund të përjashtohet, por gjithsesi kryeqytetasit duket sikur kanë futur “marshin e pestë”, siç thuhet në këto raste. Bardheblutë kryesojnë edhe Abisnet Superligën, ku sfida me Partizanin mbetet e hapur, veçse ekipi I trajnerit Orges Shehi duket më I pjekur dhe me mentalitet më të fortë e fitues. Natyrisht, ende asgjë nuk është fituar, por Tirana për momentin është skuadra më e mirë e sezonit.
Sfidanti.al