Izmir Smajlaj i pafajshëm, por shefat e atletikës nuk ia hodhën dot!

Ende nuk ka ardhur vendimi zyrtar, por lajmi është i vërtetë. Izmir Smajlaj është shpallur i pafajshëm për akuzën e manipulimit të rezultatit. Njëri nga atletët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohëve, kampion i Europës në salla të mbyllura në 2017 në Beograd, në kërcim së gjati, do të ketë mundësi të kthehet në sport, pasi Njësia për Integritetin e Atletikës në Francë mori këtë vendim. Smajlaj u akuzua se manipuloi rezultatin prej 8.16 metrash, vendosur në pistën e kërcëmit te Kodrat e Liqenit Artificial në kryeqytet. Ky rezultat i dha mundësi shkodranit që të kualifikohej për në Lojrat Olimpike Tokio 2020, që u zhvilluan në 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Akuza ishte se në kërcimin për rekordin kombëtar nuk ishte aparati për matjen e shpejtësisë së erës, diçka për të cilën pranoi fajin ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, që mbetet i dënuar me 4 vite pezullim. Me 5 vite pezullim është dënuar presidenti i Federatës, Gjergj Ruli, që cilësohet fajtor se nuk ka marrë masa ndaj Dionisit. Smajlaj u pezullua në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ishte në gjyq, e tani pritet vendimi zyrtar. Ish-kampioni i Europës deklaroi në linjë telefonike për Abc-në se do të dalë në konferencë për shtyp në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, sapo ta ketë në dorë vendimin për pafajësinë.

Sfidanti.al