Granit Xhaka nuk duhet të bëhet “kokë turku”!

Ishte një moment që ndodh në futboll. Granit Xhaka pati një përplasje me mbrojtësin e Liverpulit, Aleksandër Arnold dhe të dy lojtarët u acaruan dhe u ndeshën kokë më kokë. Mesfushori shqiptaro-zviceran I Arsenalit pretendoi se ndaj tij ishte shkaktuar një faull më herët, ndërsa më pas ndërhyri keq ndaj Aleksandër Arnoldit. Kaq u desh që gjakrat të ndizeshin në fushën e stadiumit “Anfild”, dhe që tifozët vendas të bëheshin më të zhurmshëm e më agresivë. Pati kritika për Xhakën se sjellja e tij e bëri atmosferën në stadium të papërballueshme dhe kjo bëri që ndeshja të barazohej.

Analistët Geri Nevil dhe Xhemi Karrager u shprehën në “Skaj Sport” se mesfushori nga Kosova ishte fajtor që shkeli një rregull të pashkruar në stadiumin “Anfild”, dhe se ndikoi direkt në faktin që nuk u arrit fitorja. Legjenda e Arsenalit Jan Rajt, duke folur në emisionin “Ndeshja e Ditës” në BBC, e mbrojti shqiptarin e Zvicrës. Ish-sulmuesi I londinezëve deklaroi se shpesh ka përpjekje për ta bërë Xhakën “kokë turku” që Arsenali nuk fitoi, por shtoi se ai ka luajtur në nivel shumë të lartë këtë sezon duke ndihmuar ekipin të pretendojë titullin.

Sfidanti.al