Humorin më në fund e ka të mirë. Klaus Gjasula ka marrë lajmin e mirë se është shumë pranë kthimit në fushë. Diçka e jashtëzakonshme për mesfushorin e kombëtares shqiptare i cili ka qenë i dëmtuar që nga shtatori i vitit të kaluar, pra praktikisht gjatë gjithë sezonit. Këtë fundjavë, skuadra e tij në Bundesligën e dytë gjermane, Darmshtat, ka një sfidë të veçante ndaj Hamburgur, ekip në të cilin Gjasula ka luajtur për një edicion në 2020. Shanset janë që ai të mund të përfshihet në skuadër që në këtë ndeshje, por gjithsesi trajneri mund të mos rrezikojë.
Sidoqoftë, Gjasula tashmë është në stërvitje me ekipin dhe pritet që ai të jetë në formën e duhur për kombëtaren shqiptare që do të nisë eliminatoret e Europianit në 27 mars në fushën e Polonisë. Futbollisti 33-vjeçar luan prej vitesh në Gjermani ku ka provuar edhe Bundesligën kur ishte në radhët e Paderbornit dhe kur u dallua si njëri nga më luftarakët në elitë. Ai shënoi edhe gola, ndërsa vendosi rekordin si lojtari me më shumë kartonë të verdhë në futbollin gjerman.
Sfidanti.al