“Liverpuli po e merr veten në kohë për Realin!”

“Liverpuli po e merr veten në kohë për t’u përballur në Champions me një Real të Madridit me probleme”. Kështu shkruan “Deili Meili”, që komenton se të kuqtë kanë shpresë për të ardhmen dhe se ndoshta një seri e gjatë fitoresh mund t’i ndihmojë edhe në Premier Ligë. E përditshmja tabloide zbulon edhe bidonin sekret të ujit të portierit të Evertonit, Xhordan Pikford, ku ishin të shënuara të gjitha mënyrat sesi i gjuanin penalltitë Salahu apo Nunjez. Trajneri i të kuqve, Jurgen Klop, foli hapur sesi ndihej. “I lehtësuar, – tha ai, – Kjo është ajo që ndjej. Jam i lumtur për paraqitjen. Ishte e rëndësishme të luanim ndeshjen e duhur. Nuk ishte e lehtë, pasi Evertoni ishte i rrezikshëm në goditjet standarde dhe pati mjaft mundësi të tilla. Megjithatë, ne ishim skuadra dominuese, ne krijuam më shumë. Ishte ndeshja e jonë më e mirë për shumë kohë, ndaj edhe fituam”. Liverpuli ka vetëm 29 pikë ndaj 41 të Njukasëllit që mban vendin e katërt, pra që është në zonën Champions, ndonëse të kuqtë kanë luajtur dy ndeshje më pak.

Sfidanti.al