Talenti nuk i ka munguar kurrë, veçse shpesh i ka munguar diçka. Rej Manaj ka pasur probleme shpesh me skuadrat, dhe kështu i ndodhi edhe me Uatfordin. Sulmuesi kuqezi ka mbetur pa skuadër, ndërsa klubi anglez njofton se kontrata mes tyre është ndërprerë. Prishja e akordit, sipas Uatfordit, është bërë me mirëkuptim, ndërsa pritet që ylli 25-vjeçar të gjejë shpejt një skuadër të re. Gjatë janarit, sipas mediave, për të interesoheshin klube nga Spanja, Italia e Turqia, ndërsa duke qenë lojtar i lirë, rregullat e FIFA-s e lejojnë që të gjejë një ekip edhe pse faza e transferimeve ka përfunduar. Manaj ishte i dalluar sezonin e kaluar në Serinë A me Specian duke shënuar mjaft gola e duke siguruar mbijetesën në elitë, por besohet se ai shkoi në Angli sepse rroga ishte më e lartë, dhe se italianët nuk mund ta përballonin financiarisht. Në një karrierë me mjaft ngjitje dhe ulje, sulmuesi kuqezi shkëlqeu me ekipet e moshave tek Interi, por pastaj pati ngecje duke provuar ekipe më të vegjël si Peskara apo Albasete, përpara kalimit tek Barcelona ku luajti për ekipin B, por ku ishte në fazë përgatitore edhe në ekipin e parë.
Sfidanti.al