Lebron Xhejmsi bëhet “i pavdekshëm”, kalon rekordin e madh të Xhabarit!

Nuk mendohej se do të kalohej ndonjëherë. Rekordi i pikëve të NBA-së i përkiste Karim Abdul Xhabarit dhe ai cilësohej si kulmi deri ku mund të arrinte basketbolli amerikan. Gjithsesi, kjo vlejti derisa në skenë doli Lebron Xhejmsi i cili ia vuri vetes detyrë që ta thyente, dhe më në fund ia doli mbanë. Superylli i Lejkërsave shënoi 38 pikë në ndeshjen e Lejkërsave ndaj Oklahomës, pikërisht në Arenën shtëpiake në Los Anxhelos, dhe tani është rekordmeni i ri. Atij i duheshin 36 pikë, por tashmë ka 38 390 ndaj 37 387 pikëve që realizoi Xhabari gjithashtu në një karrierë të jashtëzakonshme. Për këtë, Xhejmsit nuk iu desh as një ndeshje e plotë, sepse e arriti në fund të periudhës së tretë.

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, komentoi rekordin, ndërsa Xhabari ishte në parket për t’i dhuruar Lebronit topin historik. “Ju falenderoj tifozë të Lejkërsave, ju jeni të veçantë, – tha ai, – Është diçka e madhe për mua që të jem pranë një legjende si Karimi. Një legjendë, por një njeri tepër i thjeshtë. Ju lutem, një duartrokitje për të. Dua të falenderoj gruan time të bukur, fëmijët e mi, gjithë familjen time, dhe të gjithë juve që jeni këtu sot. Ju falenderoj shumë sepse gjithë pasioni juaj, mbështetja juaj, sakrificat tuaja më ndihmuan të arrija deri këtu”. Mbetet të shikohet se derisa kohë Lebroni do të vazhdojë karrierën dhe se kur do të arrijë nivelin e veçantë të 40 000 pikëve. Besohet se kjo gjë mund të ndodhë sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al