Sporti në Turqi mes vdekjes, rrënojave dhe shpresave!

Një fatkeqësi e tillë nuk kursen askënd, dhe nuk bën përjashtim as sporti. Në Turqi ka mjaft pjesëtarë të ekipeve të ndryshme që kanë mbetur në rrënoja, që janë të humbur, por edhe që janë shpëtuar. Klubi sportiv i Hatajsporit konfirmon se futbollisti Kristian Acu është gjetur gjallë mes rrënojave. Klubi i hodhi poshtë fillimisht njoftimet mediatike, por menaxheri Musfata Ëzat dha lajmin e mirë duke folur për Radio Gol, ndërsa po ashtu janë shpëtuar edhe mjaft lojtarë e zyrtarë të tjerë. Për fat të keq, drejtori sportiv, Taner Savut, është ende i pagjetur, po ashtu si përkthyesi Emre Aslan.

E rëndë situata në Malatia, ku portieri Ahmet Ejup është konfirmuar i vdekur. Futbollisti tjetër, Baris Bardash është një nga të mbijetuarit, ndonëse me dëmtime të shumta. Futbollisti i Malatiasporit, që luante më parë në Gjermani, është hedhur nga kati i dytë i hotelit ku qendronte. Ai mbijetoi, por me thyerje në të dyja këmbët. Në Malatia vazhduan operacionet për shpëtimin e njerëzve, mes të cilëve mjaft sportistë. Janë shpëtuar deri tani 15 sportistë, prej të cilëve 11 volejbollistë.

Trajneri i Adana Demirsporit, italiani Vinçenco Montela, deklaron se ka shpëtuar për mrekulli nga një tragjedi e madhe. Ish-sulmuesi i Romës dhe i të kaltërve, foli për “Korriere dela Serën”. “Dua të siguroj të gjithë njerëzit se jam mirë. Po ashtu skuadra e Adana Demisporit është mirë, por kemi shumë familjarë të sportistëve që janë përfshirë në këtë fatkeqësi. Klubi po organizon zhvendosjen në një qytet tjetër për ne dhe për familjarët. Janë orë të vështira. Jam pranë njerëzve që kanë pësuar fatkeqësi. Një dramë e përmasave botërore”. Situata gjithsesi mbetet e vështirë dhe mund të ketë njoftime tragjike nga çasti në çast.

Sfidanti.al