Në Itali pyesin se përse Juventusi duhet të paguajë tekat e Pogbasë!

Kur vendosi të kthehej, tifozët e pritën me shumë entuziazëm. Po ashtu, të gjithë mendonin se ai do të bënte sërish diferencën. Por avetura e dytë e Pol Pogba te Juventus i ka zhgënjyer të gjithë. Më shumë se kaq, tani mesfushori francez është kthyer në një problem teknik dhe financiar për klubin dhe skuadrën bardhezi. Vetëm pak ditë më parë, Pogba u kthye të stërvitej me pjesën tjetër të ekipit, por shumë shpejt ra pre e një tjetër dëmtimi. Për fat të mirë asgjë e rëndë, por gjithsesi ai do të mungojë në ndeshjen e Kupës kundër Lacios në Kupë dhe ka pak shanse të jetë gati për sfidën e ardhshme në Serinë A. Kjo situatë rëndon atmosferën që rrethon futbollistin që ende nuk ka bërë debutimin me Juventusin. Ai ka luajtur ndeshjen e fundit më 19 prill të vitit të shkuar dhe në atë kohë luante me Mançester Junajtid. E thënë më qartë: Pol Pogba nuk ka justifikuar pritshmëritë, por as 10 milion euro që Juventus duhet t’i paguajë çdo sezon. Për këtë arsye, “Zonja e Vjetër” po mendohet seriozisht për të ardhmen e francezit, që deri në fund të sezonit ka pak kohë në dispozicion për të fituar besimin e klubit dhe tifozëve.

Sfidanti.al