Gjykata spanjolle”ngrin” UEFA-n për Superligën Europiane!

Një vendim i Gjykatës Tregtare të Madridit mund të sjëllë një ndryshim epokal në futbollin europian. Kjo gjykatë ka pranuar apelimin e shoqërisë “A22Sports” në lidhje me krijimin e Super Ligës së Futbollit, një ide e hedhur gati tre vite më parë nga klubet më të mëdha të Europës dhe e kundërshtuar me forcë nga UEFA dhe FIFA. Këto të fundit kërcënuan me dënime dhe përjashtime, duke bërë që thuajse të gjithë klubet të tërhiqeshin nga kjo ide me përjashtim të Real Madrid, Barcelonës dhe Juventus. Pikërisht, këto tre klube përbëjnë dhe shoqërinë “A22Sports”, që ka marrë një fitore historike kundër UEFA-s. Gjykata Tregtare e Madridit ka vendosur se Super Liga mund të ekzistojë dhe se klubet nuk mund të dënohen. Në të kundërt do të shkeleshin ligjet europianë në lidhje me konkurrencën e lirë dhe monopolin.  Gjithsesi, deri te krijimi i Supe Ligës ka ende shumë rrugë, pasi beteja do të vijojë në të gjitha shkallët e drejtësisë europiane. Po ashtu, ideatorët duhet të bindin edhe tifozët, që u ngritën në protesta kundër këtij kompeticioni që sipas tyre do të vriste garën sportive. Por për mbështetësit e Superligës, ky kompeticion i ri që me shumë mundësi do të zëvendësonte Champions League, është shpëtimi i futbollit të zhytur në borxhe.

Sfidanti.al